SHBA: Presidenti i Maqedonisë të jap mandatin, duhet qeveria e re


SHBA: Presidenti i Maqedonisë të jap mandatin, duhet qeveria e re

09:20 08/03/2017

Uashingtoni ka kërkuar formimin e qeverisë së re në Maqedoni. Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane e Euroaziatike, Hojt Brajan Li ka dhënë një mesazh të qartë:

“Shpresoj sinqerisht që Presidenti maqedonas do u krijojë deputetëve mundësinë që të shprehin vullnetin e tyre për këtë dhe partitë që ata përfaqësojnë, e të krijohet sa më parë ekzekutivi sepse vendit i nevojitet qeveri që do të vazhdojë dhe kryejë proceset e filluara në kuadër të procesit paraqasës të BE-së”.

Të mërkurën presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov u ka dërguar letër drejtuesve të Bashkimit Evropian dhe Natos, si dhe presidentit amerikan Donald Trump dhe atij turk, Rexhep Taip Erdogan, të cilëve u kërkon të dënojnë atë që ai e quan “Platformë shqiptare” dhe ndërhyrjen e “dy vendeve fqinje” në punët e brendshme të Maqedonisë.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e quan reagimin e Ivanov, një përpjekje për të shpëtuar ish-kryeministrin Nikolla Gruevski nga përgjegjësitë e tij dhe thirrjet për dhunë. Ndërkaq, Bashkimi Demokratik për Integrim theksoi edhe një herë se platforma në fjalë është përpiluar në Shkup dhe se ajo nuk e rrezikon karakterin unitar, as kushtetutën e Maqedonisë./tvklan.al 






Të ngjashme