SHBA rekomandon maskat për qytetarët, OBSH jo
Në kulmin e shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, në shumë vende të botës debatohet për shpërndarjen ose jo të maskave mes popullatës. Qeverive të vendeve që u rekomandojnë qytëtarëve, mbajtjen e maskave për frenimin e përhapjes së sëmundjes u është bashkuar edhe administrata amerikane.
Deborah Brix, pjesë e shtabit të emergjencës të ngritur nga Presidenti Trump, tha gjatë një konference për shtyp nga Shtëpia e Bardhë se në ditët në vijim do të nxirret një urdhër për vendosjen e maskave në udhëzimet për masat mbrojtesë.
Brix theksoi se masat janë vetëm një mjet për të përforcuar mbrojtjen, por ajo kërkoi të bëhet kujdes, pasi ato nuk i sigurojnë 100% njerëzit nga rreziku i infektimit me koronavirus. Kjo masë merret pasi Shtetet e Bashkuara kanë ritmin më të lartë në botë të përhapjes së koronavirusit. Përdorimi i maskave është i detyrueshëm në Kinë.
Megjithatë, zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë rekomanduar më herët që maskat t’i mbajnë vetëm personat e infektuar dhe ata që janë në kontakt me të prekurit. Sipas OBSH-së maskat duhen përdorur vetëm një herë, pasi përdorimi i shumëfishtë i ekspozon njerëzit ndaj sëmundjes, njëlloj si ata që nuk i përdorin fare.
Tv Klan