SHBA sanksionon persona dhe biznese të lidhura me Hezbollahun
Shtetet e Bashkuara u kanë vënë sanksione gjashtë individëve dhe shtatë bizneseve të lidhura me milicinë shiite të Libanit, Hezbollah.
Sanksionet janë të lidhura me aktivitetet terroriste.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, ka thënë dje se sanksionet janë “vala e parë” në fushatën për t’iu bërë presion grupeve aleate me Iranin gjatë këtij viti.
“Ne do të jemi të pamëshirshëm në identifikimin, ekspozimin dhe shkatërrimin e rrjeteve të mbështetjes financiare të Hezbollahut në nivel global”, ka thënë Mnuchin.
Departamenti i Thesarit ka thënë se ka pasur cak, persona dhe kompani të lidhura me “anëtarin e Hezollahut dhe financierin, Adham Tabaja apo kompaninë e tij, Al-Inmaa Engineering and Contracting”.
Mnuchin, ka thënë se Hezbollahu është “përfaqësuesi kryesor i Iranit që përdoret për të prishur qeveritë arabe në Lindjen e Mesme”.
Hezbollah është organizatë politike dhe ushtarake që është e përfaqësuar në parlamentin e Libanit.
Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete arabe sunite e kanë akuzuar Hezbollahun për mbështetje të terrorizmit rajonal, ndërsa Kongresi amerikan më herët ka vënë sanksione ndaj milicisë, duke e cilësuar si “përfaqësuesin e terrorizmit” të Teheranit./ REL