SHBA, Senatorja Warren largohet nga gara presidenciale


SHBA, Senatorja Warren largohet nga gara presidenciale

09:55 06/03/2020

Senatorja e shtetit Massachusetts, Elizabeth Warren, po i jep fund fushatës presidenciale në garën brenda demokratëve.

Largimi i senatores vjen pas rezultateve zhgënjyese që ajo pati në zgjedhjet paraprake të Super të Martës, në të 14 shtetet që votuan. Ajo madje humbi në shtetin e saj, Massachusetts.

Senatorja Warren, ish-profesore e së drejtës në Universitetin Harvard, bëri fushatë me moton e “ndryshimit të madh strukturor” për të luftuar korrupsionin dhe rolin e parasë në politikë.

Gjatë fushatës, ajo mbrojti një sërë kauzash liberale si kujdesi shëndetësor për të gjithë, anulimi i borxheve studentore dhe copëzimi i kompanive gjigande teknologjike si Facebook.

Por senatorja 70-vjeçare, e cila në Nëntor kryesonte në sondazhet kombëtare, u përball me pikëpyetje serioze për planin e saj të reformës shëndetësore, realizimi i të cilit do të kushtonte 20.5 trilionë Dollarë. /VOA






Të ngjashme