Sulm me 26 të vrarë në një kishë të Teksasit
Një sulm i përgjakshëm tronditi të dielën Teksasin teksa një person hyri në një kishë dhe vrau të paktën 26 persona që ndodheshin brenda saj. Mes viktimave raportohet të jetë edhe një fëmijë 2-vjeçar.
Autori i dyshuar i sulmit besohet se është i riu Devin Patrick Kelley. Të dhënat e para tregojnë se ai ka vepruar i vetëm por mbeten ende të paqarta motivet e këtij sulmi të përgjakshëm. Sipas dëshmive i riu kushte hyrë në kishën baptiste të Sutherland Springs në Teksas rreth orës 11 e 30 të paradites dhe kishte hapur zjarr. Një punonjës i një pike karburanti pranë kishës tha se dëgjoi 20 të shtëna, ndërsa policia konfirmoi vdekjen e autorit pas shkëmbimit të zjarrit me forcat e sigurisë. Pas ngjarjes Presidenti Donald Trump që ka nisur një tur vizitash në Azi reagoi në twitter duke uruar që perëndia të jetë me viktimat dhe familjarët e tyre, ndërsa konfirmoi se po e mbikëqyr situatën nga Japonia. Ndonëse nuk është qartësuar nëse bëhet fjalë për një akt terrorist, kjo ngjarje vjen vetëm pak ditë pas sulmit në Manhatan ku një 29 vjeçar nga Uzbekistani hyri me një kamionçinë në korsinë e biçikletave duke u marrë jetën 8 personave dhe duke plagosur 15 te tjerë./Tv Klan