SHBA-të vendosin veton në OKB për Jeruzalemin
Për herë të parë pas 6 vjetësh Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosin veto në Këshillin e Sigurisë në Kombet e Bashkuara, për çështjen e njohjes së Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit.
Draft-rezoluta e hartuar nga Egjipti që kërkonte rrëzimin e vendimit të presidentit Trump, u votua nga 14 shtete në këshillin me 15 anëtarë. Për përfaqësuesen e Uashingtonit në OKB, votimi i draft-rezolutës 14 me 1 është një ofendim për Shtetet e Bashkuara.
Nikki Haley, ambasadore e SHBA në OKB:
“Fakti që kjo veto është vënë në mbrojtje të sovranitetit të SHBA-ve dhe në mbrojtje të rolit të Amerikës në procesin e paqes në Lindjen e Mesme, nuk është një siklet për ne, por duhet të jetë për anëtarët e këtij Këshilli. Nuk do të lejojmë asnjë vend të na tregojë se ku duhet të vendosim ambasadën tonë. Ajo që dëshmuam sot në këtë këshill ishte një ofendim, që nuk do ta harrojmë”.
Qëndrimi i Uashingtonit u përshëndet nga Presidenti izraelit Benjamin Netanjahu.
Ndërsa Presidenti i autoritetit palestinez Mahmud Abas e cilësoi veton e SHBA-së të papranueshme dhe që cënon stabilitetin në rajon.
Që prej njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga Trump, ka shpërthyer dhuna dhe përleshjet mes palestinezëve dhe ushtrisë izraelite në Jeruzalem dhe në të gjithë Bregun Perëndimor.
Tv Klan