Shefi i krimeve për Kleanthi Koçin – (1 Mars 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Kleanthi Koçi vdiq si pasojë e neglizhencës së drejtuesve të policisë së Rinasit. Shefi i Krimeve ne Komisariatin e Rinasit Ylli Tafili akuzon direkt shefin e këtij komisariati pasi sipas tij, ai ka penguar nisjen për në Itali në orarin e caktuar të avionit në bordin e të cilit ishte Kleanthi Koçi.
Kryekriminali i Rinasit, Ylli Tafili tha se avioni carter i ardhur nga Italia posaçërisht për të transportuar Koçin e plagosur ishte planifikuar të nisej në orën 9 të mengjesit. Por policet e Aeroportit te drejtuar nga Shefi i Komisariatit kane mbajtur për 4 orë rresht të bllokuar mjekët që do të shoqeronin juristin e njohur. Bllokimi i tyre u bë me pretekstin e mungesës së dokumentacionit të duhur.
Pas 4 orësh debat sipas Shefit të Krimeve të Rinasit, Ylli Tafili, mjekët janë lejuar të shoqerojnë Koçin. Por vetëm gjysëm ore pas nisjes së avionit zemra e Kleanthi Koçit ka pushuar së rrahuri. Sipas Tafilit mbajtja e mjekëve ishte e qëllimshme. Pas deklaratës bombë së Ylli Tafilit, Drejtori i Policisë së Tiranës, Mithat Havari, është shprehur se deklarata të tilla janë të njerëzve që shumë shpejt do të largohen nga puna për paaftesi profesionale, ndërsa për thelbin e deklaratës së Tafilit, Havari nuk preferoi të jepte asnjë koment./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj