Shembja e Teatrit Kombëtar, nis heqja e inerteve
Një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, tanimë ka nisur puna për largimin e inerteve. Gazetarja e Televizionit Klan, Rashela Shehu, raporton se puna ka nisur herët në mëngjes.
“Duket sikur ka nisur faza 2. Pas një dite shumë të gjatë të së dielës, mbi 10 orë, ku u bë edhe shembja e godinës së Teatrit Kombëtar, tashmë po bëhet largimi i inerteve. Ka nisur puna që herët për largimin e mbetjeve të godinës, fillimisht po largohen inertet që përfshijnë godinën ku shtrihej Teatri Kombëtar, duke qenë se kanë qenë dy godina paralele. E më tej do bëhet largimi i inerteve pikërisht në godinën që quhej Teatri Eksperimental”.
Ndryshe nga një ditë më parë, mëngjesin e kësaj të hëne nuk ka pasur prani të aktivistëve. Megjithatë ata kanë paralajmëruar se do të rikthehen për të protestuar rreth 16:30.
“E për sa i përket kësaj zone, dje kemi raportuar gjatë gjithë ditës që kanë qenë të bllokuara që të gjitha kalimet, e në fakt mëngjesin e kësaj të hëne është liruar, pra është e mundur që të kalojnë edhe këmbësorët në zonën e pedonales, edhe pse vijon të ketë prani të efektivëve të policisë, të cilët kanë bërë rrethim e një perimetri sigurie, tashmë më të ngushtë aty ku po kryhen punime, por që edhe qytetarët e ndryshëm mund të kalojnë. Patjetër që është një panoramë krejt e ndryshme nga ajo që ne kemi raportuar gjatë ditës së diel.
Ndërkohë për sa i përket aktivistëve në mëngjesin e sotëm nuk ka prani të tyre, por duhet thënë që ata kanë njoftuar që do jetë ora 16:30 e pasdites së sotme, ajo që do i rikthejë sërish ata në shesh për të vijuar protestën e tyre. Por tashmë jo vetëm si një aleancë për mbrojtjen e teatrit, por si një qëndresë mbarëkombëtare, siç e kanë cilësuar edhe ata në emër të demokracisë”./tvklan.al