Sherr mes dy vëllezërve, parandalohet krimi
Durrës- Policia ka parandaluar një krim të mundshëm, për shkak të një konflikti familjar. Burime zyrtare të policisë, bëjnë me dije se dy vëllezër janë konfliktuar me njëri-tjetrin për motive të dobëta, ndërsa në konflikt janë përfshirë edhe djemtë e njërit prej tyre.
Brenda 24 orëve policia ka bërë të mundur arrestimin e tyre dhe sekuestrimin e armëve. Në pranga kanë rënë Vangjel Parangoni 56 vjeç; Edmond Parangoni 33 vjeç, djali i J.Parangoni, të dy banues në Durrës.
Ndërsa në gjendje të lirë po procedohen: J. Parangoni 60 vjeç, banues në Durrës, vëllai i Vangjel Parangonit; K. Parangoni 27 vjeç, djali i J.Parangoni, të dy banues në Durrës.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 07.08.2016, në orët e mbrëmjes, pas një konflikti për motive të dobëta J. Parangoni dhe dy djemtë e tij, Edmond dhe K. Parangoni kanë goditur me grushta në kokë Vangjel Parangoni.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Vangjel Parangoni u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale: Një automatik model 56 i kalibrit 7.62 mm, një armë zjarri tip pistoletë, 107 fishekë të ndryshëm.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e J.Parangoni u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale: Një armë gjahu me leje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”dhe”Dhunë në familje” ./tvklan.al