![](https://i0.wp.com/prova.tvklan.al/wp-content/uploads/2017/04/psss.jpg?fit=660%2C330&ssl=1)
Sherr në degën e PS në Shkodër/ Reagon PS: Lajmi i pavërtetë
Ka përfunduar në dhunë fizike dhe deri në nxjerrjen e armëve situata këtë të martë në selinë e re të Partisë Socialiste në Shkodër.
Gjithçka ndodhi teksa zhvillohej një mbledhje, në fund të së cilës antarët e kryesisë kanë thirrur Drejtorin e OSHEE- së për veriun, Ersi Sulejmani dhe pasi kanë debatuar për disa sekonda, e kanë qëlluar këtë të fundit disa herë në kokë.
Një tjetër anëtar mësohet se tentoi të ndërhynte, por edhe ky i fundit është qëlluar disa herë ndërsa situata është përshkallëzuar kur njëri nga të pranishmit ka nxjerrë pistoletën nga brezi.
Është dashur ndërhyrja e policisë për qetësimin e situatës. Ndërkohë, për ngjarjen në fjalë burime zyrtare thonë se janë shoqëruar tre persona, dy dëshmitarë, si dhe kreu i Drejtori i OSHEE.
Shkak për këtë ngjarje dyshohet të jenë bërë pakënaqësitë e akumuluara nga socialistët në Shkodër ndaj Drejtorit të OSHEE për veriun.
Por në një reagim zyrtar, dega e Partisë Socialiste në Shkodër e ka hedhur poshtë ngjarjen në fjalë. Sipas saj lajmi është i pavërtetë.
“Partia Socialiste Dega Shkodër, sqaron se lajmi i qarkulluar në mediat lokale për gjoja një konflikt fizik të ndodhur në ambientet e Selisë së PS Shkodër është tërësisht i pa vertetë.
Gjatë ditës së sotme në selinë e PS janë është zhvilluar disa takime, por të gjitha aludimet e tjera janë thjesht spekulime”
, thuhet në deklaratë./tvklan.al