Sherri me armë në lokal, 4 të arrestuar
Hajdar Bako (Çopja) (Hysa), 33 – vjeç, Alfred Gjini, 38 – vjeç, Klevis Gjini, 26 – vjeç dhe Emiljano Gjini, 22 – vjeç janë arrestuar nga Policia e Elbasanit.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat, policia sqaron se arrestimi u bë për shkak të përfshirjes së tyre në konfliktin me armë në fshatin Katund i Ri, të ndodhur mesditën e kësaj të premteje. Ngjarja ndodhi në sheshparkimin e mjeteve në një lokal në këtë fshat.
Shkak për këtë konflikt, sipas policisë janë bërë motive të dobëta. Fillimisht personat e përfshirë në të janë goditur me sende të forta dhe më pas sherri është përshkallëzuar duke çuar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Në konflikt dyshohen të jenë përfshirë Hajdar Bako dhe F.G, 25 – vjeç njëra palë dhe në palën tjetër janë përfshirë Alfred Gjini, Klevis Gjini dhe Emiljano Gjini.
Të lënduar nga kjo ngjarje mbetën katër persona, 2 u plagosën me armë zjarri dhe 2 të tjerë u dëmtuan me sende të forta.
Hajdar Bako është plagosur me armë zjarri në krahun e djathtë, ndërsa Klevis Gjini, është plagosur me armë zjarri në këmbën e djathtë.
Dëmtime të tjera fizike me mjete të forta në kokë kanë marrë Alfred Gjini dhe Emiljano Gjini.
Në vendngjarje janë gjetur një krëhër pistolete model 56 mm, me 6 copë fishekë model 56 mm, 17 gëzhoja, nga të cilat 16 gëzhoja janë model 54 mm dhe një gëzhojë të kalibrit 9 mm, si dhe tre automjete me targa AA 688 DC, AA 528 MC dhe AA 448 KT.
Policia thotë se vijon puna për kapjen e 25 vjeçarit F.G, i cili dyshohet të jetë përfshirë në këtë ngjarje.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje./tvklan.al