Arrestohet personi që terrorizoi pushuesit në Pogradec
Mariglen Topuzi qëlloi me breshëri plumbash drejt hotel Voloreka
Personi që shihni duke qëlluar me breshëri automatiku drejt hotel Volorekes në Pogradec, është Mariglen Topuzi. 34-vjeçari u arrestua nga policia një ditë pas ngjarjes, ndërsa 3 bashkëpunëtorë të tij janë shpallur në kërkim. Ilirjan Berberi dhe Merad Berberi janë dy persona të tjerë, bashkëpunëtorë të tij, sipas njoftimit të policisë.
Gjatë kontrollit të banesave të tyre u gjetën motori Suzuki pa targa, dy skafandra dhe armët me të cilat terrorizuan dhjetëra pushues që qëndronin në hotel Voloreka mëngjesin e së premtes, siç shihet nga këto pamje.
Policia tha se Maringlen Topuzi ishte dënuar më parë me 10 muaj burg për djegien e makinës së djalit të pronarit të hotelit.
“Dyshohet se këta shtetas pas një konflikti të mëparshëm me pronarin e hotelit dhe djalin e tij, në bashkëpunim midis tyre, kanë kanosur me armë zjarri përpara hotelit, shtetasin J. M., 20 vjeç, dhe nje jave me pas kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotelit, ku u shkaktuan dëme materiale tek godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Mëngjesin e së shtunës dy persona të maskuar me kapuçë qëlluan breshëri plumbash duke terrorizuar burra, gra dhe fëmijë që kishin zgjedhur të pushonin këtë fundjavë në Pogradec.
Pjesa më e madhe e plumbave u qëllua drejt dhomës ku flinte djali 20-vjecar i Jetmir Muçllarit.
Të terrorizuar nga ngjarja, pushuesit në hotel thanë se breshëritë e kallashnikovit zgjatën për disa minuta duke i vënë në rrezik jetën fëmijëve të tyre.
Tv Klan