Sherri në Parlament ( 1 Nëntor 1999)
Sherr në Parlament për programin e kabinetit Qeveritar të drejtuar nga Ilir Meta. Deputetët e opozitës, Meksi, Godo dhe Ngjela kanë kërkuar në seancën e pasdites të Parlamentit, Kryetarit Gjinushi, t’u jepet deputetëve programi i Qeverisë së Re për t’u përgatitur për debatin e së enjtes. Sherri ka kaluar deri aty sa janë përmendur nga të dy palët, pallatet, korrupsioni madje dhe duart e lyera me gjak.
Debati është shuar përkohësisht me largimin e ish kryeministrit Aleksandër Meksi nga salla e Parlamentit. Më pas deputetët Lesi e Lalaj kanë kërkuar që të motivohet shkrirja e Ministrisë së Informacionit me një projektligj të veçantë ku të pasqyrohen dhe ndryshime të tjera strukturore në qeveri.
Me kërkesë të deputetes Dade, kryediplomati Paskal Milo ka dhënë më tej shpjegime për procedurat e dhënies së vizave për shtetasit shqiptarë. Sipas Milos parashikohen masa të tjera shtrënguese në dhënien e vizave për shqiptarët. Kjo si pasojë e frenimit të emigracionit ilegal nga vendet e botës së tretë ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Pas vjedhjes së mbi 150 mijë pashaportave në vitin 1997, pasaportat shqiptare janë bërë të pabesueshme për shtetet e huaja. Shtetasit shqiptarë nuk preferojnë të respektojnë afatet e kthimit në Shqipëri u shpreh Milo duke sjellë si fakt rastin e 20 sportistëve shqiptarë që kanë mbetur në Finlandë për të shijuar një jetë më të mirë.
Ambasadat Greke dhe Italiane kanë problemet më të mëdha me shqiptarët. Aplikimi i vizave shengen greke ka ulur në 170 deri në 200 numrin ditor të vizave të lëshuara nga kjo Ambasadë për shqiptarët. Ndërsa Ambasada Italiane tani jep rreth 60 viza në ditë. Milo tha se diplomacia shqiptare po përpiqet të lehtësojë regjimin e vizave për zyrtarët dhe biznesmenët por s’mund të ndërhyjë dot në procedurat e vendeve të tjera e sidomos në ato të vende të Bashkimit Europian./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame