Shijak, taksitë e licencuara kërkojnë bllokimin e taksive ilegale – (25 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Në Shijakun me 12 mijë banorë, ka vetëm 8 taksi të licencuara. Ato paguajnë rregullisht taksat e shtetit dhe janë të pajisura me targa të verdha. Ndërkohë që numërohen mbi 50 vetura të tjera që ushtrojnë këtë aktivitet, në mënyrë ilegale, pa hasur në pengesa shtetërore. Ky fakt i ka bërë taksistët e rregullt të hezitojnë në pagimin e taksave për vitin 2001.
Këta taksist kërkojnë një garanci nga dega e policisë së tatim-taksave, që do të ndërhyet. Nga ana e tij kryetari i degës, zoti Qazim Larti, iu premtoi atyre se do të ndërhyjnë me përparësi në Shijak, por këtu ka një tjetër pengesë. Para disa kohësh, drejtoria e përgjithshme e shërbimit të transportit rrugor, pranë Ministrisë së Transportit, ka udhëzuar ndërprerjen e dhënies së akteve të kontrollit teknik të automjeteve dhe pa këtë akt nuk mund të lëshohet asnjë licencë e re për taksi. Zgjidhjen e jep vetëm zhbllokimi i situatës nga ana e Ministrisë së Transporteve./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori