Shikoni këmbët, mund t’ju paralajmërojnë infektimin me Covid-19
Pandemia e koronavirusit deri më tani ka shkaktuar rreth 1.9 milionë të infektuar në të gjithë botën. Dy simptomat e para të këtij virusi janë kollë e vazhdueshme dhe temperaturë. Personat që kanë këto simptoma duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të vetëizolohen. Gjithashtu ka dhe persona që janë infektuar me Covid-19, por që nuk kanë asnjë simptomë.
Sipas Mirror, duket se mund të ketë një mënyrë të re për të zbuluar nëse jeni ekspozuar ndaj Covid-19, edhe nëse keni simptomat e njohura. Përgjigjia mund të jetë te këmbët tuaja.
Ekspertët mjekësorë në Spanjë po studiojnë nëse të infektuarit do të mund të identifikoheshin nga disa shenja në këmbë.
Të enjten e kaluar, Këshilli i Përgjithshëm i Podiatristisë deklaroi se disa persona të infektuar me Covid-19 kishin disa shenja në këmbë.
“Janë disa shenja ngjyrë mavi, shumë të ngjashme me linë e dhenve, fruthin ose morthin, të cilat zakonisht shfaqen në gishta dhe më pas shërohen normalisht pa lënë shenja”.
Ata shtuan se sipas dermatologëve dhe podiatristëve këto shenja janë vërejtur te shumë pacientë me koronavirus në Itali, Francë dhe Spanjë. Ato janë parë më së shumti te të rinjtë, ku përfshiheshin adoleshentët dhe të fëmijët, por u gjetën dhe te të rriturit.
Ekspertët inkurajuan njerëzit që të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave në këmbë, duke thënë: “Këshilli i Podiastërve nxit universitetet dhe anëtarët e tij të jenë vigjilentë sepse kjo mund të jetë një shenjë e zbulimit të Covid-19, që mund të ndihmojë për të shmangur përhapjen e tij”.
Gjithsesi ata theksuan se nuk kanë ende prova të mjaftueshme shkencore për ta vërtetuar si simptomë zyrtare të koronavirusit. “Për shkak të kohës së shkurtër, provat shkencore nuk mund të diskutohen ende”, shtuan ekspertët.
Federata Ndërkombëtare e Podiastrisë nxori studimin e parë të rastit të një pacienti të infektuar 13-vjeçar, të cilit iu shfaqën shenja mavi në këmbë. Fillimisht u mendua se adoleshenti ishte pickuar nga një merimangë, por më pas ai shfaqi simptomat e koronavirusit./tvklan.al