Shkak depresioni, 40-vjeçarja kërcënon me vetëvrasje (07 Janar 2012)
Një grua rreth të 40-ve ka kërcënuar se do të vetëhidhej nga taraca e katit të pestë të pallatit ku ajo jeton, pas një gjëndjeje të rënduar depresive për shkak të divorcit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 të mesditës në rrugën “Sitki Ciço”, në zonën që njihet si mahalla e Dibranëve në Tiranë. Dëshira Qoku ka kërcënuar për rreth një orë se do të vetëhidhej ndërsa në vendin e ngjarjes shkuan shërbime të shumta të komisariatit numër 4 të policisë së Tiranës dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut.
Qokut iu bënë thirrje të shumta për t’u vetëdorëzuar, ndërsa vendimtare për të zgjidhur situatën ka qenë mbërritja e skuadrës së alpinistëve të njësisë speciale të policisë RENEA. Këta të fundit mundën të bllokonin dhe më pas të zbritnin Qokun nga taraca.
Gruaja u dërgua në ambjentet e policisë së Tiranës ku u mor në pyetje në praninë e një psikologu. Nëna e dy vajzave, ka një vit e divorcuar nga bashkëshorti dhe sipas policisë kjo i ka lënë pasoja depresioni. Gruaja pretendonte për pjesë pasurie që i ishin marrë nga divorci si edhe për dhunë të ushtruar nga ish i shoqi. /tvklan.al