Shkarkimet në administratë/ Vasili: Qeveria teknike po vepron si junte
Kur fushata elektorale po shkon drejt kulmit të saj, përplasjet mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe 2 partive të tjera në koalicion po thellohen.
Përplasja e radhës është ajo për shkarkimet në administratë që kanë prekur më së shumti të emëruarit nga LSI, ç’ka sjellë reagimin e kryetarit të kësaj force, Petrit Vasili. Përmes një letre drejtuar Kryeministrit dhe Kryeprokurorit që për djeni ju niset dhe Presidentit, Kryeparlamentarit , kreut të KQZ por dhe shefit të misionit të OSBE ODHIR-t si dhe ambasadorit të prezencës së OSBE, Vasili denoncon atë që e quan veprim arbitrar dhe thellësisht antiligjor, që për të mund të gjejë raste të ngjashme vetëm në vendet që drejtohen nga juntat. Vasili:Veprime të tilla arbitrare dhe thellësisht antiligjore të ngjashme me ato të një junte nuk kanë asnjë lidhje me sjelljet e një qeverie demokratike apo besimi siç duhej të ishte kjo qeveri, që është krijuar në kushtet e tronditjes së thellë të besimit.
Asnjë marrëveshje politike nuk mund të dalë mbi ligjet dhe të justifikojë…
Për Vasilin vetë vendimi i qeverisë i datës 2 qershor për masat e monitorit e veprimtarisë, sjelljes dhe përdorimit të burimeve njerëzore të administratës në fushatë, është antiligjor pasi nuk është marrë në mbledhje të Këshillit të Ministrave dhe është e patolerueshme sipas tij t’i referohesh një mbledhje qe nuk ka ndodhur. Zyra e shtypin e kryeministrit njoftoi se bëhej fjalë për një vendim qarkullues i firmosur nga kryeministri për masat për të ndaluar përdorimin e administratës në fushatë. Por, Vasili shprehet në letrën e tij se shkarkimet pa asnjë motiv sipas Vasilit po komprometojnë procesin zgjedhor dhe kërkon që ato të ndalen menjëherë. LETRA E PLOTETë nderuar zotërinj,
Procesi zgjedhor i 25 qershorit 2017 imponon një zbatim rigoroz të ligjeve në fuqi, seriozitet të funksionimit të shtetit në tërësi dhe qeverisë në veçanti, si detyrim për të pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe të panjollosura.
Qeveria shqiptare ka marrë në datën 2 qershor një vendim të lidhet me Masat dhe Monitorimin e Veprimtarisë, Sjelljes apo Përdorimit të Burimeve Njerëzore, Financiare apo Logjistike të administratës shtetërore gjatë procesit të zgjedhjeve të 2017.
Ky vendim nuk është marrë në një mbledhje të Këshillit të Ministrave, dhe është e patolerueshme që ai i referohet një mbledhje e cila nuk ka ndodhur.
Një vendim kaq i rëndësishëm nuk i është nënshtruar asnjë debati qeveritar dhe mundësisë së shprehjes së opsioneve nga Ministrat, por është hartuar e miratuar në mënyrë tërësisht të njëanshme, ku specifikoj anëtarët e kabinetit qeveritar përfaqësues të LSI-së, kanë qenë jashtë diskutimit dhe janë vënë para faktit të kryer, duke u çuar një vendim qarkullues, të cilit nuk i njihen as autorët dhe as ata që kanë dhënë opsionet.
Një mënyrë e tillë, okulte e funksionimit të qeverisë, ku përgjegjësia bie mbi kryeministrin dhe sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, hedh hije të forta dyshimi në një moment ku vetëm transparenca, komunikimi i hapur dhe përfshirja e të gjithë aktorëve, janë ato që zgjedhjet e lira e të ndershme presin në Shqipëri.
Fatkeqësisht marrëveshja politike e 18 Majit, në vend të qartësisë e ndershmërisë, prodhoi një komunikim të njëanshëm, të mbyllur dhe të errët.
Edhe vetë ky vendim ka kundërvënie serioze e arbitrare me legjislacionin që rregullon zgjedhjet në Shqipëri dhe liritë e të drejtat e njeriut dhe kjo rëndon situatën, e krijon të gjtiha hapësirat për abuzime të mëdha, të cilat realisht kanë ndodhur dhe evidentimet për to janë bërë gjerësisht publike.
Shkarkimet pa asnjë motiv e provë, duke abuzuar me hapësirat antiligjore të krijuara nga ky vendim, po kompromentojnë ecurinë normale të procesit zgjedhor, po instalojnë një klimë absurde abuzimi dhe shpërdorimi me pushtetit, e cila ka përkeqësuar klimën politike dhe ka ushqyer indinjatën e thellë të opinionit publik për këto veprime.
Tv Klan