Rama shkarkon Ylli Manjanin, LSI propozon Petrit Vasilin
13 muaj pasi firmosi emërimin e tij si Ministër i Drejtësisë, Kryeministrit Edi Rama ka vendosur ta shkarkojë Ylli Manjanin, por t’ia lerë drejtimi e kësaj Ministrie sërish Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka propozuar Petrit Vasilin.
Kjo është shkresa zyrtare me propozimin për shkarkimin, që i është dërguar paradite presidentit të Republikës, Bujar Nishani për dekretim. Vendimin, Kryeministri ia bëri të ditur rreth orës 10:00 fillimisht Ilir Metës, me të cilin qëndroi për 40 minuta në kryesinë e Kuvendit. Më pas, në zyrën e Metës është ngjitur Manjani, i cili duket se është njohur edhe me shkarkimin dhe motivacionin, që nuk është bërë ende publik. Edhe pse e kishte firmosur shkarkimin, Kryeministri Rama i shmangu komentet kur u pyet nga Televizioni Klan në një aktivitet të Ministrisë së Brendshme, pak minuta pasi kishte dalë nga zyra e Kryetarit të parlamentit. Shkarkimi i Manjanit vjen pak ditë pas disa deklaratave të bëra prej tij kundër qeverisë dhe në veçanti kundër Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili, i pyetur nga Televizioni Klan, zgjodhi t’i injorojë ato. Ndërsa Ylli Manjani doli në një konferencë për shtyp, ku lëshoi një lumë akuzash ndaj qeverisë, akuza që prej tij artikulohen për herë të parë vetëm pas shkarkimit nga detyra. Tv Klan 12:00 Shkarkohet Ylli Manjani, i merr karrigen... Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është shkarkuar nga detyra mesditën e sotme. Në vend të tij është propozuar Petrit Vasili. Vendimi është firmosur nga kryeministri Edi Rama. Vetëm një ditë më parë në media u diskutua për një shkarkim të Manjanit, por vetëm disa orë më vonë ministri e mohoi shkarkimin nëpërmjet një statusi në Facebook. Propozimi për lirimin nga detyra të ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani dhe emërimi në këtë detyrë të Petrit Vasilit i është dërguar Presidentit të Republikës Bujar Nishani. Në ditët e fundit në disa deklarata publike, ministri Manjani ka shfaqur pakënaqësi për kryeministrin dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës. Në orën 13:00, Manjani pritet të mbajë një konferencë për mediat. Ylli Manjani u emërua në postin e ministrit të Drejtësisë në 9 nëntor 2015, pas dorëheqjes së Nasip Naços./tvklan.al