Shkatërrimi i shtëpive muze në Gjirokastër – (7 Janar 2001)
Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Kjo është zona muzeale e qytetit të Gjirokastrës, e cila çdo ditë po rrënohet. Çekani godet të ngrejë ndërtime të reja, që nuk i bashkangjiten arkitekturës të qytetit muze, ndërsa mbi shtëpitë dhe ndërtimet e hershme askush nuk është kujtuar të vërë dorë. Për familjen Babramo, ka gati 40 vjet që kjo shtëpi pret rikonstruksion.
Gangrena tjetër e këtij qyteti janë ndërtimet pa leje. Nëse dhjetë vjet më parë një banor kërkonte të bënte një ndërtim, apo ndërhyrje në shtëpinë e tij, duhet të merrte leje në degën e monumenteve, në mënyrë që ndërtimi t’i përshtatej stilit të vjetër gjirokastrit, por pas këtyre viteve interesi ra. Vetëm së fundmi policia ndërtimore e Gjirokastrës ka evidentuar rreth 100 ndërtime pa leje. Qemal Çarçani, shefi i policisë ndërtimore thotë:
Qemal Çarçani:- “Të gjitha ndërtimet që janë pa leje, jo se janë të gjitha që mund të prishen, për këtë duhet një ndërhyrje nga shteti me qëllim që të bëhet një grup pune i përbashkët nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe nga Policia e Ndërtimit dhe zyrat e urbanistikës në rreth”.
Nga 105 monumente të evidentuara në rrethin e Gjirokastrës, 80 prej tyre ruhen për një element të caktuar. Në kuadrin e Fest Folk 2000, nga qeveria u akordua një fond rreth një milion lekësh të reja, për dhjetë nga banesat. Drejtori i degës së monumenteve Jorgo Xuhano shton.
Jorgo Xuhano:- “Një problem kryesor gjatë këtyre viteve kanë qenë ndërtimet pa leje, të cilat janë bërë gangrenë për qytetin muze të Gjirokstrës. Aktualisht, ne si degë monumentesh, i kemi identifikuar të gjitha këto monumente, kemi bërë kërkesë në organet kompetente, në mënyrë që shteti të vërë pikën mbi i, në mënyrë që Gjirokastra të mbijetojë edhe në të ardhmen”./tvklan.al
Gazetare – Holta Zhiti