Shkatërrohet banda që shiste bebe


Shkatërrohet banda që shiste bebe

09:12 13/08/2016

Policia pakistaneze ka vënë në pranga disa punonjës spitali pasi akuzohen se ishin pjesë e një rrjeti që trafikonin bebe.

Banda i ndërronte të porsalindurit me trupa të pajetë të foshnjeve që kishin vdekur në spital dhe më pas i thonin prindërve të tyre se fëmija kishte vdekur.

Fëmijët më pas, sipas BBC, i shiteshin çifteve që nuk kishin një të tillë, me çmime që varionin nga 650 në 2850 dollarë.

Policia ra në gjurmët e këtij rrjeti pasi kishin marrë një numër të madh raportimesh për fëmijë të zhdukur.

Disa nëna që kishin sjellë në jetë fëmijë të shëndetshëm, vetëm pak orë më vonë u kishin thënë se fëmija kishte ndërruar jetë.

Mes të arrestuarve janë 5 gra dhe 2 burra, përfshirë një infermiere dhe një agjent, që dyshohet se merrej me marrëveshjet me prindërit që blinin bebet.

Sipas policisë, banda është përgjegjëse për vjedhjen dhe shitjen e të paktën 9 foshnjeve./tvklan.al






Të ngjashme