Shkatërrohet celula e ISIS në zemër të Europës
5 persona të dyshuar si pjesëtarë të një celule terroriste të Shtetit Islamik u arrestuan në një operacion të koordinuar policor në Spanjë, Belgjikë dhe Gjermani.
2 persona u arrestuan në Barcelonë, ku agjentët e anti-terrorit sekuestruan edhe prova materiale që dëshmojnë angazhimin e tyre në terrorizmin ndërkombëtar.
Celula terroriste e shtrirë në tre vendet europiane, kishte krijuar një faqe në rrjetin social Facebook, ku shpërndante propagandë dhe nxiste atentate. Popullariteti i faqes me 32 mijë ndjekës rritej me 500 persona në një javë, tha Ministri i Brendshëm spanjoll, Horge Fernadez Diaz.
“Kemi neutralizuar simultanisht një rrjet që po përhapej shumë shpejt. Ata ishin të integruar në mënyrë perfekte me strukturën e ISIS, dukë përhapur propagandë përmes videove mizore të organizatës terroriste”.
Arrestimet e tjera u kryen në Bruksel, në qytetin Wupertal në Gjermani dhe në një enklavë afrikane në Spanjë. Më shumë se 140 arrestime të lidhura me terrorizmin janë kryer vetëm nga policia spanjolle vitin e fundit, 30 prej tyre jashtë territorit të Spanjës.
Tv Klan