Shkatërrohet organizata e drogës në Athinë, arrestohet drejtuesi shqiptar


Shkatërrohet organizata e drogës në Athinë, arrestohet drejtuesi shqiptar

17:00 25/01/2018

Policia greke ka shkatërruar një organizatë kriminale që trafikonte lëndë narkotike në Athinë. Në prangat e policisë kanë rënë tetë persona, 4 shqiptarë dhe 4 grekë. Të gjithë të arrestuarit janë të moshës 22-33 vjeç.

Drejtuesi i kësaj organizate ishte një 27-vjeçar shqiptar. Sipas mediave greke, ai vendoste për çmimin e shitjes së drogës, mënyrën dhe vendin ku do të bëhej shitja e marijuanës. Ndërsa zëvendësit e tij ishin përsëri dy shqiptarë të tjerë të moshës 31 dhe 33 vjeç, të cilët kishin rolin mbikëqyrës për çdo blerje dhe shitje të drogës. Anëtarët e tjerë të organizatës ishin përgjegjës për ruajtjen dhe magazinimin e marijuanës.

Ata merrnin me qira disa banesa për të fshehur aty lëndën narkotike, duke i shpëtuar kështu edhe kontrolleve të policisë. Të gjithë të arrestuarit komunikonin përmes kodeve me njëri-tjetrin. Nga kontrollet në banesat ku qëndronin anëtarët e organizatës dhe në ambientet ku magazinonin kanabisin, policia sekuestroi 105 kg drogë, 12.302 Euro, 500 Lekë, 4 peshore elektronike, 26 celularë, 3 makina, 3 motorçikleta dhe një thikë. Sipas mediave greke, disa prej të arrestuarve janë me precedent penalë, ndërsa drejtuesi 27-vjeçar ishte akuzuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë.

/tvklan.al

 






Të ngjashme