Shkatërrohet rrjeti i drogës që drejtohej nga shqiptarë
Forcat e anti-drogës spanjolle zhvilluan të mërkurën një operacion masiv në Barcelonë, duke shkatërruar një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të lëndëve narkotike, në krye të së cilit, dyshohet se ishin disa shqiptarë.
Mediat në Spanjë shkruajnë se policia sekuestroi gjatë aksionit 38 kg heroinë, e një cilësie të pastër, si edhe 8 kg kokainë.
Në pranga ranë në total 7 persona, anëtarë të bandës së drogës. Baza e tyre ishte në një fshat të Barcelonës, ku kishin ngritur një laborator të sofistikuar për përpunimin e kokainës dhe heroinës.
Pjesë e grupit krminal që drejtohej nga shqiptarët, mësohet se ishin edhe disa bullgarë. Këta të fundit kryenin funksionin e shpërndarësit.
Sipas mediave spanjolle, disa nga anëtarët e bandës kishin përgatitje të mirë ushtarake. Ata ishin të njohur nga organet e drejtësisë si persona me precedentë penalë. Droga vinte kryesisht nga Holanda dhe Portugalia dhe dyshohet se vetëm vitin e kaluar, banda mund të ketë shitur mbi 100 kg heroinë.
Sipas mediave spanjolle, në këtë operacion të madh kanë marrë pjesë edhe Europol e Policia Shqiptare, ndërsa emrat e të arrestuarve nuk janë bërë ende të ditur.
Tv Klan