Shkatërrohet rrjeti shqiptaro-grek i drogës


Shkatërrohet rrjeti shqiptaro-grek i drogës

19:54 21/12/2017

Policia greke shkatërroi një rrjet të strukturuar kriminal të drogës dhe trafikut të emigrantëve, që drejtohej nga shqiptarë e grekë.

Në total në pranga e policisë ranë 44 persona, 23 shqiptarë, 20 grekë dhe një pakistanez. Mes personave të arrestuar ishin edhe 7 drejtuesit shqiptarë e grekë.

Hetimet rreth këtij grupi të mirëorganizuar kishin nisur prej muajsh, por oprecaioni u finalizua këtë të enjte. Siç shkruajnë mediat greke, ky rrjet ishte i përbërë nga tre organizata kriminale, të cilat mbanin komunikim të ngushtë me njëra-tjetrën dhe kishin një organizim të stilit mafioz dhe vepronin duke ndjekur një strukturë piramidë të hierarkisë.

Pjesa e parë dhe më e rëndësishme e këtij rrjeti ishte banda e vendosur në rajonin historik të Atikës, në jug të Athinës. Kjo bandë importonte sasi të mëdha droge, kokainë dhe marijuanë nga Shqipëria në Greqi, nën drejtimin e një shqiptari me precedentë të shumtë penalë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Sipas mediave greke, drejtuesi i kësaj bande, thirrej nga bashkëpunëtorët e tij ‘Bossi’ dhe fabrika, në sajë të sasisë së konsiderueshme të drogës që fuste në territorin grek.

I njëjti grup ka futur nga Turqia në Greqi dhjetëra emigrantë të paligjshëm duke përfituar në total rreth 72 mijë Euro.

Hetimet rreth këtij rrjeti vijojnë, ndërsa persona të tjerë janë në kërkim për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Tv Klan






Të ngjashme