Shkelja e standardeve të sigurisë, MT dhe ARRSH heshtin përballë skandalit
Edhe pse i vënë qendër të akuzave si shkaktar i aksidentit të rëndë të së shtunës me pasojë vdekjen e dy fëmijëve, Autoriteti Rrugor Shqiptar refuzon të shpjegojë se përse nuk është vendosur mbrojtësja metalike në autostradën Plepa-Golem, pranë këtij karburanti.
Oljana Maloku, gazetare Tv Klan: “
Shqetësimit të ngritur nga Televizioni Klan për sigurinë rrugore drejtuesit e Autoritetit iu përgjigjen duke cituar ligjin, i cili kërkon dorëzimin me shkrim të kërkesës për informim. Ne e dorëzuam kërkesën, sipas ligjit. Po ky institucion, a e ka zbatuar ligjin, kur ka menduar të lërë pa mbrojtëse anësore një autostradë, duke cenuar sigurinë rrugore, vetëm për të favorizuar dy karburante, siç dyshon prokuroria?
”
Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, në nenin 14 dhe 37 përcakton qartë përgjegjësitë e Autoritetit Rrugor. Neni 37 thotë që vendosja dhe mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor është në ngarkim të enteve pronare të rrugës. Ndërsa neni 14 thotë se entet pronare të rrugëve kanë për detyrë garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së qarkullimit.
Pas refuzimit të autoritetit rrugor ne iu drejtuam Ministrisë së Transporteve, dikasterit që e ka në vartësi. Por edhe këtu nuk morëm përgjigje.
Oljana Maloku, gazetare Tv Klan: “
Edhe Ministria e Transporteve hesht për shkeljen e standardeve të sigurisë në autostradën Plepa-Golem. Zyrtarisht ky dikaster thotë se do të presë përcaktimin e shkaqeve nga Policia Rrugore, pasi dyshon se aksidenti ka ardhur si pasoje e shpejtësisë. Por pyetja që i drejtohet Ministrisë se Transporteve është: a do kishin humbur jetën dy fëmijë nga hekuri i mbrojtëseve nëse mbrojtëset nuk do të ishin ndërprere?
” Ekspertë rrugorë thonë se është detyrim ligjor pajisja e autostradave me barriera mbrojtëse.
Lënia e një shtegu të tille, si ky ku ndodhi aksidenti i së shtunës, sipas ekspertëve kërkon, kufizimin e shpejtësisë në 40 km, një sinjalistikë të fortë paralajmëruese për rrezikun që paraqet dhe pajisje të veçante të hekurave anësore që mundësojnë zbutjen e efektit fatal prerës në rast aksidentesh, siç rezultoi me dy fëmijët dy ditë më parë.
TV KLAN