Shkodër, asfaltohen rrugët ( 3 Tetor 1999)
Disa qytete të Prefekturës së Shkodrës me më shumë rrugë të asfaltuara. Fondi Shqiptar për Zhvillimin ka vënë në dispozicion të strukturave lokale të Pukës një shumë prej 22 milion lekësh të reja. Me këtë fond të konsiderueshëm po rehabilitohen shumë rrugë të lagjeve të qytetit, unaza dhe shëtitorja kryesore me një gjatësi të përgjitshme 2,6 kilometra.
Po ashtu në Koplik është realizuar përmirësimi i rrugëve kryesore e rurale. Pas këtij investimi dukej se qyteti i vetëm i Malësisë së Madhe, Kopliku, nuk do ta ketë më problem ujin në gropat e tij. Ndërkohë që dhe në rrethin e Shkodrës po vazhdon puna për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore.
Qeveria shqiptare për këtë qëllim ka vënë në dispozicion një fond prej 20 milion lekësh. Me këtë fond janë shtruar disa rrugë të brendshme të qytetit. Ka filluar puna dhe për rregullimin e aksit rrugor Shkodër-Velipojë aq të përfolur për përvetësimin e fondeve të vëna më parë në dispozicion. Për këtë rrugë 30 kilometra të gjatë janë dhënë 45 milion lekë nga buxheti i shtetit. Me këtë shumë do të mundësohet në fillim rehabilitimi i 23 kilometrave dhe shtrimi nga e para i 7 të tjerave./tvklan.al