Shkolla 9 – vjeçare “1 Maji” mer pamje tjetër
Rreth 1 mijë nxënësit e shkollës 9 vjeçare “1 Maji” morën një surprizë të bukur në ditën e parë të shkollës. Godina ku ata do të mësojnë përgjatë vitit shkollor jo vetëm ka një pamje krejt të re, por edhe klasat ku do të kalojnë orët e mësimit ofrojnë kushte më të mira të mësimdhënies, si dhe kanë një palestër të re.
Bashkia e Tiranës mbajti kështu premtimin dhe ka mundur të përfundojë në kohë rekord rikonstruksionin e plotë të shkollës “1 Maji”, në mënyrë që të ishte gati sot për nisjen e vitit të ri arsimor. Ambientet e rinovuara të kësaj shkolle u përuruan sot nga Kryebashkiaku Veliaj, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, të cilët pasi kanë parë nga afër kushtet e shkollës, uruan fëmijët suksese në vitin e ri shkollor. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se viti i parë i mandatit të bashkisë iu kushtua tërësisht më të vegjëlve të qytetit. Ai bëri të ditur se veç kësaj shkolle, gjatë verës bashkia ka ndërhyrë për të riparuar rreth 200 shkolla, ndërsa siguroi se një pjesë e tyre kanë ambiente dhe terrene sportive të shtuara. Veliaj tha gjithashtu se falë ndërhyrjeve të bëra që në këtë vit të parë, por edhe me riorganizimin e nxënësve, është bërë e mundur që të shmanget mësimi në turne në pjesën më të madhe të shkollave të kryeqytetit. Rikonstruksioni i shkollës “1 Maji” përfshiu krijimin e ambienteve të reja sanitare, palestrës, zëvendësimin e dyerve dhe dritareve, rikonstruksionin e sistemit elektrik, të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, por edhe të sistemit të ngrohjes dhe rrjetin kundra zjarrit./tvklan.al