Shkollat sërish me kombinim online dhe në klasa
Dezinfektohen ambientet në pritje të nxënësve
“Arsimi parauniversitar do të rinisë procesin mësimor më 11 Janar. Shkollat po bëhen gati të presin nxënësit, pasi mësimi do të zhvillohet sërish në formë të kombinuar: online dhe fizikisht nëpër klasa”.
Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të lërë në fuqi vendimin e 25 Nëntorit, por pa dhënë të tjera detaje për kohëzgjatjen e saj.
“Po, mësimi tani për tani do të rinisë me 11 janar, siç ka qenë edhe më parë”.
Krahas higjenizimit të mjediseve, drejtuesit e shkollave thonë për Tv Klan se deri në fundjavë do të bëhet riorganizimi dhe njoftimi i prindërve mbi skenarin javor. Për nxënësit e fillores dhe maturantët do të ketë vetëm mësim në klasa ndërsa të tjerët të kombinuar.
Edhe rregullat e paraqitjes së fëmijëve dhe stafit pedagogjik në shkolla mbeten të njëjta. Protokolli i miratuar parashikon matje të temperaturës dhe orë të reduktuara.
Për studentët në Universitete, ekspertët e shëndetësisë vendosën që mësimi të vijojë online edhe në 2 javët e ardhshme. Mbeten ende për t’u vendosur skenarët e mënyrës së zhvillimit të sezonit të provimeve.
Tv Klan