Shkup, Varhelyi optimist për negociatat


Shkup, Varhelyi optimist për negociatat

16:45 07/10/2020

“Lufta kundër korrupsionit të vazhdojë pa ndërprerje”

Duke shpalosur pjesë nga raporti më i ri i Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut, Komisioneri i BE-së për zgjerim Oliver Varhelyi, para deputetëve, presidentit të shtetit, kabinetit qeveritar dhe mysafirëve të tjerë në Kuvend, sot shprehu optimizëm se deri në fund të vitit edhe zyrtarisht do të fillojnë negociatat aderuese me Bashkimin Evropian. Ai prezantoi edhe detaje nga plani më i ri ekonomik-investues i BE-së për zhvillim dhe lidhje të vendeve të Ballkanit perëndimor, me vlerë 9 miliardë euro, me kushtin që reformat në të gjitha gjashtë shtetet të vazhdojnë dhe të krijohen projekte të qëndrueshme. Varhelyi shprehu optimizëm se të gjitha vendet anëtare të BE-së do ta mbështesin kornizën e propozuar negociuese, duke shtuar se pengesat që i vendos Bullgaria nuk duhet të dramatizohen, por se megjithatë janë serioze. 

Shumica e deputetëve shikonin celularët e tyre në momentin kur Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, nga foltorja e Kuvendit theksoi se është e nevojshme ruajtja e ritmit në luftën kundër korrupsionit dhe në reformat në administratën publike që të arrihet deri te evropianizimi i vërtetë i vendit. 

“Është me rëndësi ta ruani këtë intensitet, lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë pa ndërprerje dhe janë të nevojshme përpjekje shtesë që të sigurohet respektim i plotë i parimit të transparencës dhe meritokracisë në reformën në administratën publike.” 

Varhelyi paraprakisht në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev, përveç shpresës se deri në fund të vitit do të mbahen konferencat ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, si fillim zyrtar i negociatave, ka bërë të ditur edhe detaje nga plani ekonomik-investues të cilin BE-ja dëshiron ta realizojë në vendet e Ballkanit Perëndimor në katër vitet e ardhshme, me vlerë fillimisht 9 miliardë euro, ndërsa më vonë me siguri edhe 20 miliardë euro. 

“Ajo që e kemi ne është ofertë për ju dhe për vendin tuaj, e cila sigurisht që varet nga zbatimi juaj. Konsiderojmë se kjo duhet të zbatohet me procedurë të shpejtë, kemi zgjedhur iniciativa fleksibile të cilat në mënyrën më të mirë demonstrojnë cilat janë prioritetet e përbashkëta dhe shumë shpejt mund të kontribuojnë për ndryshimin e peisazhit të rajonit në fushën e ekonomisë, që Ballkani perëndimor të bëhet rajoni më efektiv në të cilin është investuar dhe të jetë gjithnjë e më tërheqës për njerëzit që jetojnë në rajon.” 

Maqedonia e Veriut në këtë plan investues tashmë ka propozuar projekte për lidhje të transportit dhe ato energjetike, për menaxhimin e  mbeturinave, për potencialin hidroenergjetik, burimet e ripërtërishme të energjisë dhe të tjera. Vendi ynë ka marrë ndihmë nga Evropa për menaxhimin e pasojave të shkaktuara nga kriza korona. 

“Dje në llogarinë e buxhetit të Maqedonisë së Veriut kanë hyrë 80 milionë euro, ndërsa 80 milionë të tjera do të hyjnë në periudhën që vjen. Më lejoni komisioneri Varhelyi  edhe një herë t’u falenderoj dhe të dëshiroj bashkëpunim frytdhënës. Besoni se do t’ua kthejmë me punë, rezultat dhe evropianizim të Republikës së Maqedonisë së Veriut.” 

Lidhur me kërcënimet nga Bullgaria fqinje, se do të bëhen pengesë në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar vendin me mohimin e një pjese të historisë dhe të gjuhës, Komisioneri Varhelyi shprehu optimizëm se pengesat do të tejkalohen në nivel dypalësh Shkup – Sofje dhe problemi nuk duhet të dramatizohet, megjithë se është serioz.

Tv Klan






Të ngjashme