Shmanget incidenti në Aeroportin e Rinasit (13 Maj 1999)
Prag i një katastrofe ajrore në Rinas. Një avion gjuajtës bombardues i NATO-s që merr pjesë në operacionet bombarduese në Jugosllavi nga bazat ajrore të Italisë, ka bërë mbrëmë një ulje të detyruar në Tiranë. Sipas burimeve nga Aeroporti ka qënë një difekt ai që ka detyruar avionin të tipit F-115 të zbresë në Rinas ku një tjetër difekt gjatë uljes ka bllokuar për rreth 15 orë trafikun ajror.
Çarja e gomës së parë së avionit luftarak në momentin e prekjes në tokë ka rrezikuar jo vetëm jetën e pilotit por edhe më tepër. Manovrimi i shkëlqyer pilotit amerikan shmangu një tragjedi të përmasave të mëdha. Pas çarmatosjes së avionit pas municioneve që mbarte në borg, shmangjes së tij nga pista dhe vendosjes në një anë të aeroportit ushtarak, vetëm në orën 11 e 25 është dhënë leja për ngritjen e avionëve të pasagjerëve të kompanive “ADA AIR” dhe Albanian Airlines. Leje që përjashtonte të gjitha zbritjet e avionëve për arsye sigurie.
Që mbrëmë janë pezulluar ngritja e të gjithë avionëve si civile ashtu dhe ushtarake duke sjellë anomali në trafikun e planifikuar ditor. Ende nuk janë dhënë, nga zëdhënësi zyrtar i kontigjentit të NATO-s në Shqipëri shpjegime për ngjarjen e mbrëmshme. Megjithë interesin e madh të treguar për këtë rast nga media të ndryshme të atashuar në vendin tonë. /tvklan.al
Gazetar: Teodor Keko