Shmanget sulmi terrorist në Francë
Presidenti francez, Fronsua Holond deklaroi se forcat e anti-terrorit kanë shmangur sulme terroriste në vend, në ditët e fundit.
Në një debat të hapur publik në Paris mbi demokracinë dhe terrorizmin, shefi i Elizesë nuk përjashtoi atentate të reja terroriste dhe u bëri thirrje forcave të rendit se vetëm duke qenë të bashkuar mund të mposhtet ISIS.
Holond hodhi poshtë zërat për ngritjen e një “Shteti paralel” në Francë, që lufton terrorizmin, e që ia heq këtë të drejtë Shtetit të ligjor, duke sqaruar se kjo është e papranueshme pasi parimet kushtetuese nuk mund të ndryshohen.
Një hipotezë e tillë ishte e ngritur më herët nga ish-presidenti, njëherësh kandidati për zgjedhjet e ardhshme, Nicolas Sarkozy.
Deklarata Holond vjen një ditë pas njoftimit nga forcat franceze se një makinë me 6 bombola gazi u gjet në zemër të Parisit, shumë pranë Katedrales “Notre-Dame”. 2 persona të njohur për prirje xhihadiste u arrestuan në lidhje me ngjarjen./ TV KLAN