Shoqata e invalidëve në grevë urie: Kërkojmë nga shteti të na plotësojë kërkesat (2 Dhjetor 2000)
Ka nisur greva e urisë pa afat e shoqatës së invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Shkaku i fillimit i kësaj greve është mosplotësimi i kushteve të jetesës për këtë kategori, pengesa me dashje e prishjeve të projekteve të shoqatës dhe zbatimi i saj, dhe mos trajtimi i invalidëve të aksidentuar në ushtri. Kryetari i kësaj greve Agron Paço, thotë:
“Fillimi i kësaj greve është thjesht qëllim ekonomik dhe në asnjë mënyrë qëllim politik. Nuk duam që mediat t’a politizojnë këtë grevë. Në radhë të parë, statusi që qeveria shqiptare e kaloi, e miratoi dhe ia përcolli Parlamentit dhe Parlamenti e miratoi dhe Presidenti e dekretoi dhe është po kjo qeveri që nuk e zbatoi. Në 22 pikat që ka ky nen, 1 pikë nuk zbatohet.”
Kjo shoqatë numëron në gjithë Shqipërinë 600 anëtarë, 50 prej të cilëve janë të aksidentuar gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak. Këto grevistë kërkojnë ngritjen e një qendre rehabilitimi ku të krijojnë komunitetet e tyre, ngritjen e qendrave të punësimit e të tjerë. Grevistët gjithashtu kërkojnë që shteti të paguajë nganjë kujdestar që të kujdeset për ta si dhe ngritjen e pensioneve që aktualisht është në 6 mijë lekë në muaj./tvklan.al