Shoqatat e gazetarëve: Ligji i “Spak”, censurë për lirinë e mediave
Projektligji për organizmin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, apo i njohur ndryshe, si ligji i Spakut, i cili sapo ka mbërritur në kuvend për t’u shqyrtuar në komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtesi, ka ngjallur shqetësimin e gjithë shoqatave kombëtare të gazetarëve për cënimin e pavarësisë së tyre.
Neni 13 pika 3 e këtij projektligji, që përcakton pavarësinë e prokurorëve të prokurorisë së posacme, specifikon se “çdo lloj influence e papërshtashme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm, apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër, që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj. Për këtë lloj vepre, kodi penal parashikon një dënim, deri në 3 vjet burg.”
Ky nen ka vënë në alarm gazetarët dhe mediat shqiptare, që e konsiderojnë atë si një censurë të re, ndaj lirisë së medias, që po kërkon të vendoset me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.
Shoqatat e gazetarëve e konsiderojnë këtë project, jo si pjesë e një reforme që synon të luftojë krimin dhe korrupsionin, por si një nen të jashtëzakonshëm që kërkon t’i mbyllë gojën medias së lirë, të instalojë një gjendje censure në vend dhe të vendoset mbi Kushtetuën, që garanton liri të plotë të fjalës në Shqipëri, thuhet në reagim.
Për gazetarët shqiptarë, ky nen është një akt selektiv pasi për veprën penale të presionit apo shantazhit, kodi penal përcakton të gjitha rastet në bazë të të cilave çdo individ ka të drejtë të padisë këdo, përfshi edhe gazetarët.
Prandaj specifikimi për mediat, është një akt i pastër censure dhe me rrezik për demokracinë. Eshtë një kthim pas, kur fjala dhe mendimi i lirë konsideroheshin agjitacion dhe propagandë.
Termi i përdorur në nenin 13, “influencë e papërshtatshme”, krijon hapësirë për çdo lloj interpretimi për të kërkuar dënimin e gazetarëve. Mjafton që një prokuror ta cilësojë si të papërshtatshme raportimin e një media dhe gazetari të gjendet përpara bankës së të akuzuarit.
Shoqatat e gazetarëve i bëjnë thirrje deputetëve shqiptarë të heqin menjëherë këtë nen regresiv nga projektiligji dhe mos ta kalojnë për votim në Kuvend, pasi përbën një kërcënim të hapur për lirinë e shprehjes dhe si i tillë, nuk mund të diskutohet e aq më pak të votohet në një vend që synon të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
Në deklaratën e tyre, shoqatat e gazetarëve lajmërojnë se këtë projekt të paprecedent do të njoftojnë organizatat më të mëdha për mbrojtjen e lirisë së medias në botë.
Ky nen, konsiderohet si rikthim në periudhën e komunizmit në media.
Tv Klan