Shorti në Ligën e Kombeve
Duka: Synojmë vendin e parë në grup
Shqipëria u shortua në një grup të favorshëm në Ligën e Kombeve dhe për Presidentin e federatës, Armand Duka, synohet vendi i parë në grup. Kuqezinjtë do të luajnë me Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Lituaninë.
“Synojmë vendin e parë në grup dhe të ngjitemi në Ligën B”.
Sipas formulës së Ligës së Kombeve, kalojnë 2 ekipet më të mira të aktivitetit në Play Off të Botërorit, nëse nuk janë kualifikuar direkt në fazën finale.
Kjo për Armand Dukën është tepër e vështirë, pasi përcaktohet nga renditja e të gjitha përfaqësueseve në Ligën e Kombeve, por gjithsesi duhet marrë në konsideratë.
“Është e vështirë, por ta mendojmë këtë mundësi”.
Në program janë këtë muaj edhe sfida miqësore në Itali, por emergjenca nga koronavirusi mund të ndryshojë planet që të zhvillohen në vendin fqinj.
“Kemi bisedime me federatën sllovene ta zhvillojmë në Ljubjanë ose Tiranë nëse ka probleme, por të shohim si do shkojnë gjërat”.
Kjo do të jetë një mundësi për të testuar grupin e lojtarëve për Ligën e Kombeve që nis në Shtator.
Tv Klan