Shpallen në kërkim autorët e incidentit në Lazarat – (13 Shtator 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
8 banorë të Lazaratit, autor të incidentit me zëvendës kryeministren Çeço janë shpallur në kërkim nga policia e Gjirokastrës. Vëllezërit Zagoll dhe Drini Aliko, Bledar Toti, Beligrad dhe Roland Mahmutaj, Sokol Skëndo dhe Florian Shurdhi, kërkohen nga policia se kanë penguar në qendër të Lazaratit zv/kryeministren Çeço dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.
Përveç kësaj sipas Ministrisë së Rendit, ata kanë goditur fizikisht kandidatin socialist për komunën e Lazaratit, Afrat Aliko, i cili në fakt është i afërt me dy nga agresorët e tij. Dhuna fizike ka goditur edhe nënkryetarin e komisionit zgjedhor të Gjirokastrës dhe ish-sekretarin e PS të rrethit.
Prokuroria e Gjirokastrës në bashkëpunim me policinë e rrethit ka bërë të mundur identifikimin e autorëve të këtij incidenti, si dhe ka lëshuar urdhër arrestet për ta. Incidenti ndaj zv/kryeministres Çeço në Lazarat, vjen pas një tjetër incidenti, po ndaj një politikane femër, ndaj nënkryetares së parlamentit Jozefina Topalli./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame