Shpërthime të njëpasnjëshme në aeroport
Disa shpërthime të njëpasnjëshme tronditën të dielën një aeroport ushtarak pranë Damaskut në Siri.
Fillimisht u dyshua se ato kishin ardhur si pasojë e sulmeve ajrore izraelite. Por autoritetet siriane i mohuan këto raportime. Sipas asaj që shkruan BBC, shpërthimet e fuqishme në aeroportin e Mezzeh erdhën për shkak të një defekti elektrik në depon e municioneve ushtarake.
Në të shkuarën nuk kanë munguar sulmet ajrore izraelite në Siri, ndërsa vitin e shkuar Izraeli u akuzua se kishte sulmuar po të njëjtin aeroport.
Ishte një zyrtar i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, i cili duke folur për AFP tha se me gjasë aeroporti ushtarak ishte goditur nga raketat izraelite. Por një burim i ushtrisë siriane i mohoi këto pretendime.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë për disa shpërthime të njëpasnjëshme në këtë zonë, ku qëndron inteligjenca e Forcave Ajrore Siriane.
/tvklan.al