Shpërthimi në Malin e Dajtit – (3 Prill 1999)
Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Stand up Eduart Frangaj … Këtu ndodhemi në malin e Dajtit. Pikërisht këtu në orën 8 të mëngjesit janë dëgjuar 2 shpërthime të mëdha. Sipas ekspertëve të policisë të cilët kanë mbrritur menjëherë në vendngjarje, shpëthimet kanë ndodhur në momentin kur dy avion të Natos kanë fluturuar mbi malin e Dajtit drejt Jugosllavisë.
Versioni zyrtar i ministrisë së Rendit Publik i pohuar nga zëdhënsja e saj Birko dhe shefi i kabinentit Fadil Cani, pohon faktin se shpërthimet kanë ndodhur si pasojë e dy predhave nga një avion ushtarak i Natos. Zëdhënësja e ministrisë së Rendit pohoi se avioni i nisur nga Italia, pësoi një difekt dhe piloti është detyruar që për masa sigurie të lëshoi dy predha që kishte në bord.
Predhat kanë shpërthyer në momentin para se të preknin tokën. Hedhja e dy predhave nga avioni ushtarak është pranuar edhe nga vetë Shtabi Qëndrorë i Aleancës. Sipas zëdhënëses së ministrisë së Rendit dy predhat kanë rënë në një humnerë larg zonave të banuara.
Që në momentet e para të shpëthimit forcat e policisë kanë kontrolluar të gjitha objektet që ndodhen në afërsi të vendngjarjes. Por pas kontrollit nuk është vërejtur as një shenjë e predhave. Madje policët thanë se nuk kemi të bëjmë me shpërthime. Në malin e Dajtit përveç ushtarakëve kanë shkuar edhe përfaqësues të ambasadave të huaja, veçanërisht asaj Italiane.
Incidenti i sotëm në malin e Dajtit është i pari që ndodh shumë afër kryeqytetit që nga fillimi i konfliktit mes Natos e Serbisë./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj