Shpërthimi në Velipojë/ Cisterna e gazit ishte instaluar fshehurazi dhe pa kushte teknike
Pas shpërthimit në Velipojë që la katër të plagosur, Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) bëri të ditur se subjekti kishte instaluar fshehurazi nën tokë cisternën e gazit.
Sipas autoriteteve pronari i lokalit nuk kishte respektuar ligjin dhe kishin instaluar cisternën nën tokë pa respektuar kushtet teknike.
Po ashtu, subjekti nuk ka paraqitur kërkesë në ISHTI për regjistrimin e pajisjes.
Shpërthimi në restorantin në kompleksin Fishta u shkaktua nga rrjedhja e gazit të një depozite, rreth orës 10:30 të paradites.
Të plagosurit janë Besnik e Hektor Zejnuni, babë e bir, pronarë të restorantit, pushuesja nga Kosova Saida Spahija dhe një infermiere që u asfiksua teksa po përpiqej t’u jepte ndihmën e parë të dëmtuarve.
Dy pronarët janë në gjendje të rëndë dhe u dërguan në qendrën spitalore Universitare në Tiranë për mjekim të specializuar.
Të plagosurit e tjerë po trajtohen në Shkodër, ndërsa probleme me asfiksinë shfaqën edhe disa pushues.