Shqipëria e SHBA mbështesin Ushtrinë e Kosovës
Themelimi i Ushtrisë së Kosovës ngjalli reagim të gjerë ndërkombëtar dhe qëndrime të ndryshme të fuqive të mëdha botërore.
Prej fillimit të kësaj nisme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë rreshtuar në krah të Kosovës, duke dhënë bekimin për transformimin e FSK-së në Ushtri. Ambasada amerikane në Prishtinë konfirmoi mbështetjen për Ushtrinë, si një forcë me mandat për mbrojtjen e territorit, një e drejtë kjo sovrane e Kosovës.
Por një reagim të ndryshëm nga fuqia kryesore brenda NATO-s pati Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg. Ai shprehet i keqardhur që ky vendim u mor, pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO.
“Duke qenë se transformimi i FSK-së është në parim një vendim i Kosovës, ne e bëmë të qartë se kjo lëvizje vjen në një moment të gabuar”
, thotë Stoltenberg.
Edhe BE reagoi përmes zëdhënëses Maja Koçijançiç kritikoi vendimin e Prishtinës. Për Brukselin, ndryshimi i statusit të FSK-së duhet të bëhet në një proces të ngadaltë dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Të njëjtin qëndrim me NATO-n mbajti edhe Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev për të cilin nuk është momenti për tensione në rajon. Ndërsa për Moskën, themelimi i Ushtrisë e çon rajonin drejt destabilizimit.
Themelimi i Ushtrisë u përshëndet gjithashtu nga klasa politike shqiptare. Kryeministri Edi Rama publikoi një foto të presidentit kosovar Hashim Thaçi me uniformë ushtarake, me mbishkrimin “Urime”.
Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka quajtur një vendim historik dhe që dëshmon qartë se Kosova është e aftë të marrë përgjegjësi dhe të kontribuojë për paqen.
Vendimin historik të Kosovës e komentoi edhe Zv/Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gotemoller, gjatë një takimi me Ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe Ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.
“Urime Kosovë, pas Pavarësisë ngjarja e dytë e përmasave kombëtare e historike”,
shkruan kryetari i opozitës, Lulzim Basha.
Tv Klan