Shqipëria fiton edhe në Hungari


Shqipëria fiton edhe në Hungari

22:52 09/10/2021

Kuqezinjtë mbrojnë vendin e dytë në grup

Shqipëria arriti një fitore të rëndësishme në Hungari, po 1-0 ashtu si në Elbasan, madje shënues ishte përsëri Armando Broja. Një sukses që mban Kuqezinjtë në vendin e dytë dhe tani janë në kuotën e 15 pikëve. Kombëtarja e nisi duke parë nga sulmi, por pati edhe rrezik nga hungarezët. Uzuni në çastet e fundit të pjesës së parë pati një mundësi të mirë, por gjithsesi ishte në pozicion jashtë loje. Pjesa e dytë nisi më ritmike me të dy ekipet që synuan golin. Rrezik krijoi përsëri sulmuesi i Ferencvaros, por pa mundur portierin Gulacsi.

Me kalimin e minutave u përfshinë në lojë Manaj dhe Broja në vend të Cikalleshit dhe Uzunit. Kjo lëvizje solli edhe ndryshimin. Ishte pikërisht Armando Broja, i cili shënoi ashtu si në takimin e zhvilluar muajin e kaluar në Elbasan. Sulmuesi 20-vjeçar kaloi të gjithë kundërshtarët që u përpoqën ta ndalonin, duke e dërguar topin në cepin tjetër të portës në minutën e 80’.

Lojtarët kuqezi nuk qëndruan në mbrojtje edhe pas golit të shënuar duke shqetësuar ekipin hungarez. Një fitore me rëndësi e treta radhazi për Shqipërinë që do të presë të martën Poloninë në Air Albania dhe një tjetër sukses do ta bënte vendin e dytë thuajse të sigurtë. Në takimet e tjera të grupit Polonia fitoi 5-0 me San Marinon dhe më të njëjtin rezultat Anglia që kryeson fitoi në fushën e Andorrës.

Fitoren e Kombëtares e përshëndetën në rrjetet sociale Kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta dhe Kryedemokrati Lulzim Basha.

Tv Klan






Të ngjashme