Shqipëria me rritje të qëndrueshme
Moody’s dhe S&P konfirmojnë vlerësimin B+
Ekonomia shqiptare vlerësohet me rritje të qëndrueshme nga dy agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit Moody’s dhe Standard & Poor’s. Ato konfirmuan nivelin B+ për Shqipërinë bazuar në vijimësinë e rritjes ekonomikë në periudhën afat-mesme, uljen e borxhit publik dhe deficitit.
Agjencitë vlerësojnë se profili makroekonomik i Shqipërisë si dhe parametrat e borxhit kanë vazhduar të përmirësohen, duke e vënë theksin te progresi në reformat strukturore dhe institucionale, si dhe konsolidimin fiskal të arritur gjatë viteve të fundit.
Në mënyrë të veçantë vlerësohen përpjekjet pozitive për të përmirësuar administrimin e të ardhurave, siç është edhe aksioni informalitet i javëve të fundit.
Progres i dukshëm theksohet se është bërë në reformën në drejtësi si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndërkohë që nënvizohet se progresi në fushat e “sundimit të ligjit” dhe “të drejtave të pronësisë” ka përmirësuar klimën e biznesit. Raporti thotë se cilësia e institucioneve shqiptare është përmirësuar në vazhdën e rrugëtimit drejt BE.
Pavarësisht se situata e fundit politike identifikohet si një rrezik për perspektivën ekonomike dhe për ritmin e reformave strukturore, Moody’s dhe Standard & Poor’s vlerësojnë se qeveria shqiptare do të vijojë me axhendën e reformave në afatin e mesëm, në linjë me aspiratat për integrimin në BE.
Tv Klan