Shqipëria merr kryesinë e OSBE-së
Rama: Mundësi e jashtëzakonshme ta bëjë Shqipërinë të shkëlqejë
Shqipëria merr zyrtarisht sot Kryesinë e OSBE-së. Në Sllovaki, aty ku zhvillohet edhe ministeriali i OSBE-së ndodhet Kryeministri Edi Rama, i cili pritet të mbajë një fjalim para marrjes së kryesisë për vitin 2020.
Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë thotë se drejtimi i kësaj organizate është nder dhe përgjegjësi.
“Nder dhe përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, si edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkëlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE”, thotë Rama, i cili ka shpërndarë një video teksa bëhet gati për fjalimin.
Aty Kryeministri shfaqet me këmbët mbi tavolinë, ndërsa flet me këshilltarët për pjesët e fjalimit që duhet të shtojë.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj. Sipas tij, Shqipëria është e gatshme për të udhëhequr një kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive.
“Sot në Ministerialin e OSBE-së në Bratislavë Shqipëria zyrtarisht merr Kryesinë e OSBE-së. Pas një pune kapitale përgatitore në rrafshin politik e programatik, si dhe organizativ e logjistik, Shqipëria sot është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive”, shkruan Cakaj në Facebook. /tvklan.al