Shqipëria në orën e re policore


Shqipëria në orën e re policore

23:56 24/12/2020

Ndalohet lëvizja nga ora 20:30 deri në orën 06:00

Edhe pse ora e re policore nis në 20:30 në rrugët e Tiranës shikon ende qytetarë dhe automjete. Në rrugët e Tiranës sheh ende shumë njerëz që duket se nuk janë familjarizuar me orarin e ri të izolimit.

Edhe në sheshin Skënderbej ka ende nga ata që shëtisin apo bëjnë fotografi. Të shumta ishin edhe automjetet që lëviznin. Të vetmet që duket se e kanë respektuar masat e reja kufizuese në kryeqytet janë kafenetë dhe restorantet në zonat më të populluara gjatë ditës.

Ka nga ata të cilët janë të vetëdijshëm për nevojën e respektimit të masave të reja, por që iu është dashur ta shkelin orarin e ri për shkak të punës.

“Besoj se për më mirë është bërë. Isha në punë dhe tani e mbylla. Urojmë mos të zgjasë më shumë”.

“Për punën e biznesit është pak keq megjithatë është diçka e mirë”.

Forcat e policisë patrullojnë për tu siguruar se nuk ka shkelës të vendimit të Komitetit të Ekspertëve që do të zgjasë deri më 4 janar, duke përfshirë të gjithë periudhën e festave të fundvitit.  Ora e re policore gjeti të papërgatitur edhe qytetarët e Shkodrës, ku shumë qytetarë nuk ishin fare në dijeni të orarit të ri.

Gjithsesi me këshillimin e forcave të policisë për pak minuta rrugët janë boshatisur. Qytetarët janë treguar më të përgjegjshëm në qytetet e tjera, ku masat e reja janë respektuar në shumicën e rasteve.

Autoritetet kanë bërë të ditur se do të ketë penalizime për ata që shkelin pa arsye orën policore që zgjat deri në 6 të mëngjesit.

Tv Klan






Të ngjashme