Shqipëria në Samitin Botëror kundër Terrorizmit
Nga data 11-15 Shtator në Herzliya, Telaviv Izrael zhvillon punimet Samiti Botëror kundër Terrorizmit. Në këtë aktivitet të rëndësishëm marrin pjesë personalitete të larta të politikës dhe agjencive ligjzbatuese e inteligjente nga mbarë bota.
Në këtë Samit, Shqipëria u përfaqësua nga një delegacion i Policisë së Shtetit i kryesuar nga Drejtori i Drejtorisë së Antiterrorit, Gledis Nano. Gjatë punimeve të këtij samiti pritet të merren vendime të rëndësishme në drejtim të forcimit të bashkëpunimit për shkëmbimin e informacionit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për rrezikun që i kanoset mbarë qytetërimit nga ky kërcënim. Në një njoftim për mediat nga zyra për shtyp e Policisë së Shtetit thuhet se, në dy ditët e para delegacioni shqiptar ka zhvilluar një sërë takimesh me drejtues të ICT (Instituti Ndërkombëtar kundër Terrorizmit) dhe me agjencitë ligjzbatuese homologe Izraelite të luftës kundër terrorizmit. Gjatë këtyre takimeve u shpreh gatishmëria e palëve për të mbështetur strukturat e antiterrorit me trajnime dhe logjistikë bashkëkohore si dhe asistencë për ndjekjen e rasteve specifike me interes të përbashkët. Në ditët në vijim do trajtohen kërcënimet aktuale dhe masat për t'ju kundërpërgjigjur bashkërisht fenomenit./tvklan.al