Shqipëria nuk do të vuajë më nga mungesa e energjisë elektrike (11 Shtator 2000)
Dimri i këtij viti nuk do t’i gjejë shqiptarët në errësirë si më parë ose të paktën do të shkurtohen orët pa drita. Për këtë do të ndihmojë kontrata e nënshkruar sot mes ministrave Angjeli dhe Muçi me bankën norvegjeze Export Finance. 13.5 milion dollarë është fondi i kredisë së jep kjo bankë për sistemin elektroenergjetik shqiptar.
Me këtë kredi do të ndërtohen dy nënstacione të reja Krujë dhe Tepelenë si dhe fuqizimi i nënstacioneve në Lezhë, Kavajë dhe Lushnje dhe fuqizimi i nënstacionit të Elbasanit do të sigurojë rritjen e mundësisë për import.
Ndërkohë për Kavajën, Lushnjen dhe Lezhën sipas drejtorit të KESH Fauredin Hoxha, pala norvegjeze do të lëvrojë pajisje me të cilën do të bëhet i mundur eleminimi i mungesës së energjisë për shkak të defekteve teknike.
“KESH nuk do të ketë më mundësi të justifikohet që nuk mbajnë më nënstacionet apo linjat, por duhet të luftojë dhe të prodhojë sa më shumë energji elektrike për konsumatorët nga të cilët neve kërkojmë një përdorim të mirë.”/tvklan.al
Gazetar: Eduart Frangaj