Shqipëria sfidon Kosovën në futboll


Shqipëria sfidon Kosovën në futboll

16:16 02/04/2017 https://youtu.be/Tl_26fAszx0

Futbolli i femrave ka disa vite që zhvillohet në Shqipëri, ndërsa Kombëtarja merr pjesë në kualifikueset e turneve ndërkombëtarë prej 2013. Javën e ardhshme do të zhvillohet faza para-eliminatore e Botërorit 2019 në vendin tonë dhe në grup vajzat kuqezi do të kenë edhe përfaqësuesen e Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga ish-portieri i Vllaznisë dhe Kombëtares, Armir Grima synon kualifikimin në fazën tjetër dhe kjo nuk arrihet pa fituar edhe me Kosovën.

Megi Doçi (Futbolliste e Kombëtares): Kosovarët janë miqtë tanë. Kemi respekt për ta, por jemi përgatitur shumë për fitoren.

Një pjesë e mirë e grupit është nga Kosova. Arbiona Bajraktari është një nga futbollistet e Kombëtares e lindur në Suharekë dhe që aktualisht luan në kampionatin shqiptar me Vllazninë. 20-vjeçarja tregon mundimet që i janë dashur për të luajtur futboll.

Arbiona Bajraktari (Futbolliste e Kombëtares): Kemi pasur vështirësitë tona duke filluar nga familja. Por dëshira me luajt futboll bën të mos dëgjoj askënd. Me kohën ata janë bindur se është dëshira ime dhe më kanë mbështetur.

Trajneri Armir Grima mendon se futbolli mund të bëhet më i bukur nëse aktivizohen sa më shumë femra.

Armir Grima (Trajner i Kombëtares së Femrave): E përsëris se sa më shumë femra që luajnë futboll aq më i bukur do të jetë ky sport.

Kombëtarja e vajzave po përgatitet në Elbasan aty ku do të luajë edhe dy prej ndeshjeve atë më Kosovën më 6 prill dhe me Maltën dy ditë më pas. Në grupin e Shqipërisë është edhe Greqia. Në fazën kualifikuese kalojnë vendi i parë në secilin grup dhe e dyta më e mirë.

Tv Klan






Të ngjashme