Shqiptarët e Leranit presin zgjidhje


Shqiptarët e Leranit presin zgjidhje

15:53 04/02/2019

Ky është korridori i dhjetë, një trase e rëndësishme transporti për Evropën. Shqiptarët që jetojnë në pjesën që mund të ngelet në Serbi, thonë se kushtet për jetesë janë të vështira.

Në fshatin Leran, ku shqiptarë e serb jetojnë bashkë, familja Mehmeti punojnë në bujqësi nga të rinjtë deri tek gjyshi. Ndihma nuk kanë dhe subvencione për punë nuk marrin. Nëse shkëmbehen, siç thonë, ose të gjithë ose askush pasi njerëzit i braktisin pronat.

Serbët këtu fillimisht nuk duan të flasin lehtë. Edhe ata si bashkëfshatarët shqiptarë kanë ikur, në fshat rrinë ata që nuk kanë shumë zgjidhje. Kryefjala e përbashkët etnike e problemit këtu është varfëria.

Belgëzim Kamberi, aktivist për të drejtat e njeriut, thotë se Luhina e Preshevës, ka patur gati aspak investime. Kurse të drejtat e shqiptarëve janë trajtuar si problem i brendshëm i Serbisë pavarësisht se në jetën e këtushme problemet Kosovë-Serbi u kanë kushtuar. Në çfarëdo platformë ata duhet të përmenden në marrëveshjen përfundimtare.

Pasdite në fshat. Para dyqanit dhe kafenesë së lagjes rrinë bashkë. Aty rrinë Predrag Trajkovic, i punësuar herën e fundit në vitin 2003. Tani edhe ai rri me duar në xhepa. Për shqiptarët betohet se nuk ka patur asnjëherë probleme.

Predrag Trajkovic, Fshati Leran, Preshevë:

Nuk kam frikë sido që të vendoset pasi nuk i kam askujt gjë borxh. Nuk duhet të vuajnë as shqiptarët as ne. Nuk më pengojnë e as unë atyre. Këto janë marrëzira, ne duam të jetojmë.

Pas fitimit të besimit, Predrag, insiston të na tregoj një lagje në brendësi për ilustrim. Tomisllav jeton këtu me bashkëshorten, Sllavkën. Fëmijët janë larguar dhe pensionin e kanë rreth 80 euro. Të sëmurë, thonë se nuk kanë as për bukë.

Në shtëpi gjithçka kundërmon si një gjë e harruar me shekuj.

Banorët e këtij fshati të entuziazmuar për të treguar historinë e tyre, thonë se është në rregull që politika ta zgjidh problemin, por para kësaj ftojnë liderët të vijnë në këtë fshat pasi kanë shumë porosi t’ua thonë në fytyrë.

Tv Klan

 






Të ngjashme