Shqiptarët në bordin e “holandezit fluturues” për t’u futur në Angli
2 shqiptarë në bashkëpunim me një polak kishin bërë në plan që të fshihnin në pjesën e pasme të një kamioni një grup shqiptarësh dhe një sirian për t’i dërguar ata në Mbretërinë e Bashkuar.
Policia kufitare britanike gjeti 1 sirian dhe 19 persona me shtetësi shqiptare në një kamion që vinte nga Holanda, në terminalin e portit North Shields Tyne.
Policët kishin nuhatur një erë të rënde që vinte nga kamioni holandez dhe kur ata kishin hyrë brenda për të bërë kontrollin kishin parë këmbët e emigrantëve të paligjshëm.
“Gjatë kontrollit në kamion u gjetën rreth 20 persona, emigrantë të paligjshëm. Asnjëri prej tyre nuk kishte leje për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Prokurori Paul Abrahams në gjykatë.
Shoferi i kamionit tip HGV, Marek Niedziechi 33 vjeç, me origjinë polake, i cili punonte për një firmë transporti me qendër në Varshavë, u tha hetuesve se ai kishte udhëtuar nga Rimini, Itali për në Luksemburg, Belgjikë dhe më pas në Roterdam të Holandës.
Ai mohoi gjithçka duke thënë se nuk e dinte se ata persona ishin fshehur në pjesën pasme të kamionit të tij dhe se kjo ishte diçka e paqëllimshme.
Prokurorët mendojnë se Niedziechi ka bërë marrëveshje me Ferdinand Gjollën, 41 vjeç dhe kunatin e tij Armand Mekollin 30 vjeç, tashmë të dy të pajisur me nënshtetësinë angleze, për të kryer hyrjen e paligjshme në Britani të Madhe.
Mendohet se Gjolla është organizatori i gjithçkaje, Niedziechi transportuesi, ndërsa Mekolli është ai i cili bën shpërnguljen e shqiptarëve në Angli sapo ata mbërrijnë.
Gjykata i dëboi të gjithë shqiptarët e paligjshëm, ndërkohë që siriani ka bërë kërkesë për azil në Mbretërinë e Bashkuar pasi gruaja e tij gjendet aty.
Ai deklaroi se si fillim kishte qenë në Calais në Francë dhe më pas një shok i kishte sugjeruar të udhëtonte në Belgjikë, ku u takua me disa shqiptarë dhe kishin shkuar të gjithë në Holandë ku i kishin hipur një kamioni që do i transportonte për në Mbretërinë e Bashkuar.
Shoferi i kamionit kishte me vete 7 karta telefoni në momentin që u arrestua në portin e North Shields-it.
Abrahams u tha jurisë së gjykatës se regjistrimet telefonike tregojnë një lidhje të mundshme midis 2 shqiptarëve dhe polakut.
Gjolla dhe Niedziechi janë takuar në Bracknell, Essex, një javë para transportimit ku ata bënë edhe marrëveshjen.
Në momentin e zbulimit, një nga emigrantët shqiptarë kishte me vete një telefon celular me të cilin kontaktonte më Gjollën.
Prokurorët kanë deklaruar se Ferdinand Gjolla dhe Renato Mekolli, të dy me vendbanim në Redhill Avenue, Barnsley, South Yorkshire kishin biseduar në telefon me Niedziechin në momentin kur kamioni ishte duke hyrë në Mbretërinë e Bashkuar.
Të 3 bashkëpunëtorët i mohojnë akuzat ndërkohë që gjyqi vazhdon./tvklan.al