Shqiptari i dënuar për 3 vrasje, detaje rreth vdekjes së tij


Shqiptari i dënuar për 3 vrasje, detaje rreth vdekjes së tij

20:00 28/05/2016

Mediat britanike kanë zbardhur detaje të reja rreth vdekjes së shqiptarit Ndriçim Sadushi, i dënuar në Shqipëri për 3 vrasje, si dhe i akuzuar si pjesë e bandës famëkeqe të Tan Kateshit, aktive gjatë viteve '90.

Në një shkrim të gjatë të sajin, britanikja “Mirror”, duke u bazuar në dëshmitë e dy mjekëve që e trajtuan atë shkruan se Sadushi u gjet i mbuluar nga urina e feçet e tij në qelinë e burgut të sigurisë së lartë Belmarsh, në Britani, kur pësoi arrestin kardiak. Ai vdiq pas dy orësh në spital, në Janar të 2015- ës.

43 – vjeçari vuante nga depresioni, ishte i heshtur dhe nuk kishte komunikim me asnjë prej të burgosurve, ndërsa kishte tentuar të paktën 4 herë të vetëvritej. Gjendja në të cilën ai u gjet, sipas "Mirror", ishte në shenjë proteste.

HMP-Belmarsh

Sipas të përditshmes britanike, gjykata po shqyrtonte mundësinë për të nisur procedurat e ekstradimit drejt Shqipërisë për Sadushin. Ai kishte aplikuar edhe për azil, kërkesë që iu ishte refuzuar përpara se të vdiste.

Sadushi u ndalua në Britani në 2012 – ën, pas 15 vitesh arrati. Ai ishte shpallur fajtor dhe dënuar me burgim të përjetshëm në vendin tonë për tre vrasje dhe një tentativë vrasjeje në vitin 1997.

Sipas mediave britanike, Sadushi dyshohet se ishte futur në Britani në vitin 2000 dhe ishte një prej 14 personave më të kërkuar të policisë së Scotland Yard, në Londër. /tvklan.al





Të ngjashme