Shqiptari që u ‘kap mat’ duke fshirë gjethet…
Një shqiptar i cili i detyrohej 27 mijë paund një bande kriminale u detyrua që të punonte në një fabrikë kanabisi në Stoke-on-Trent, për të paguar borxhin. 41-vjeçari D.Pepa pranoi të bëhej kopshtar i një prone në rrugën Century, Hanley, pasi personat në fjalë arritën ta gjenin dhe e kërcënuan atë me thikë.
Megjithatë ‘aktiviteti’ i tij do të merrte fund më 15 Nëntor, kur policia bastisi pronën pas ankesave të fqinjëve. Pepa u gjet nga oficerët, teksa po tentonte të fshinte gjethet dhe dheun përpara pronës, me fshesë me korrent.
Kur oficerët u futën brenda, ata gjetën 178 bimë kanabisi. Por shumë bimë të tjera ishin hequr më herët nga shqiptari, pikërisht kur fqinjët kishin raportuar për zhurma. 29 vazo që shërbenin për rritjen e kanabisit u gjetën bosh, së bashku me drita e pajisje të tjera të nevojshme për kultivimin e drogës.
Kur u arrestua, Pepa i tha policisë së kishte udhëtuar drejt Britanisë i fshehur në pjesën e pasme të një furgoni. Qëllimi i tij kishte qenë që të fitonte para për të paguar borxhin që i kishte bandës shqiptare.
41-vjeçari kishte 3 muaj që kujdesej për drogën. Në përfundim, gjykata britanike vendosi ta dënojë shqiptarin me 12 muaj heqje lirie./tvklan.al